6289f649 ac13 4bc3 a867 91a35e3607dd

5 gra rrihen nga burrat e tyre, gjatë 24-orëve të fundit

Dhuna në familje vazhdon të jetë prezente në çdo raport të Policisë së Kosovës.

Edhe gjatë 24-orëshit të fundit, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë raportuar 5 raste të dhunës në familje, ku siç ndodh rëndom viktimat kanë qenë gratë.

Një rast i tillë i dhunës e që ka përfunduar me lëndime trupore ka ndodhur në Prishtinë, ku është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar. Ai pas një mosmarrëveshjeje e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare, e cila si pasojë kishte pësuar lëndime dhe ka pranuar trajtim mjekësor. Siç njofton policia i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

Një rast tjetër i dhunës ka ndodhur në Podujevë, meqë rast viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor në QKMF –Podujevë dhe më pas është dërguar në strehimore. 

Ndërkohë i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit lirohet me procedurë të rregullt.

Rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Komunën e Ferizajt.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. I dyshuari dyshohet se kishte qenë nën ndikim të alkoolit nga i cili është sekuestruar mjeti që e kishte përdorur në rast dhe ai me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Rasti vazhdon të hetohet”, thekson në raport policia.

E në mes të ditës në Gjilan, një tjetër grua u rrah nga bashkëshorti i saj.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje me të dyshuarin mashkull kosovar ai kishte përdorur dhunë fizike ndaj saj. Viktima i është nënshtruar trajtimit mjekësor dhe më pas është liruar. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar, është dërguar në mbajtje për 48 orë”, bën të ditur policia.

Ndërsa rasti i pestë i raportuar gjatë kësaj kohe, ka ndodhur në Gjakovë.

“Viktima femër kosovare ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar si edhe nga e dyshuara femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit  njëri nga të dyshuarit dërgohet në mbajtje, ndërsa e dyshuara tjetër lirohet me procedurë të rregullt”, përfundon raporti.